Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka dhënë detaje rreth heqjes së homologimit të automjeteve të reja.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), ka bërë të ditur se është hequr homologimi për automjetet e reja.

Sipas njoftimit, ky vendim vjen duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ku edhe kanë filluar procedurat e liberalizimit të procesit të homologimit.

“Në kuadër të kësaj, ju informojmë se MIT ka marrë vendim që veturat e reja, të importuara nga kompanitë e licencuara, nuk do t’i nënshtrohen më homologimit nga kompania e autorizuar për kryer atë”, thuhet në njoftim.

Për verifikimin e të dhënave nga prodhuesit, MIT ka bërë të ditur se përgjegjës do të jenë kompanitë e autorizuara për shitjen e tyre në tregun e Kosovës.

I njëjti verifikim sipas MIT-së do të vlejë edhe për blerësit kur kryejnë regjistrimin e veturave.

MIT ka bërë të ditur se ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe uljes së kostos të cilën duhet të paguajnë qytetarët.

Për këtë, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian në Kosovë, që e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.

“Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë homologimin për automjete të reja të importuara, të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, thuhet në reagimin e BE-së. /Ballkani.info/

loading…