Ministria kundër përjashtimit të nxënësve përsëritës

Ministria e Arsimit e konsideron joligjor përjashtimin, Qendra për Arsim thonë se mund të ketë pasoja, raporton T7

Deri pak kohë më parë ishin pjesë e shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë-Kosovë.

Por gjatë vitit të ri shkollor, kjo shkollë nuk po ka hapësirë për 58 nxënës të cilët kanë humbur vitin.

T7 raportoi një ditë më parë se këta nxënës nuk po lejohen që të vijojnë mësimin.

Madje edhe drejtori i shkollës e konfirmoi që u ka rekomanduar atyre të shkojnë në ndonjë shkollë tjetër, apo të përfundojnë shkollimin me provime.

Por zyrtarë nga Ministria e Arsimit shprehen se një veprim i tillë nga institucionet arsimore është joligjor.

Alush Istogu shprehet se udhëheqësit e shkollës duhet ta planifikojnë paraprakisht përfshirjen e këtyre nxënësve në mësim.

Nëse nga shkolla veprojnë ndryshe, ata bëjnë shkelje të ligjit.

Istogu thotë që shkollat kanë për obligim që të punojnë me plane individuale që t’i ngrisin nxënësit.

E Petrit Tahiri nga Qendra për Arsimin e Kosovës theksoi që një veprim i tillë është i padrejtë.

Madje, sipas Tahirit, largimi i nxënësve nga shkolla mund të ketë pasoja.

Një ditë më parë udhëheqësit e shkollës në komunën e Fushë Kosovës thanë që nuk kanë mundësi t’i përfshijnë në kuadër të shkollës këta 58 nxënës, pasi që ato vende janë zënë nga të rinj të tjerë.

E edhe nga komuna ishin njëzëri me shkollën.

loading…