Ministria e Xhelal Sveçlës “zbukurohet” me perde, shpenzohen mbi 42 mijë euro

Ministria e Xhelal Sveçlës ka vendosur t’i shpenzojë mbi 42 mijë euro të buxhetit të shtetit për blerjen e disa perdeve. Tenderin për furnizim ia ka besuar kompanisë grafike “Blendi”.

 Zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tash e tutje do të jenë më komode.

Rrezet e diellit nuk do të jenë pengesë për punëtorët që t’i përfundojnë punët e “deleguara” nga shefi i tyre, Xhelal Sveçla.

Ky institucion ka vendosur t’i shpenzojë mbi 42 mijë euro të buxhetit të shtetit për blerjen e disa perdeve, shkruan Demokracia.com.

Në njoftimin që është shpallur në KRPP është treguar se tenderin për këtë furnizim e ka fituar Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi O.P”.

‘Furnizimi dhe montimi me perde për objekte të MPB-së. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët: 42 728,00. Numri i tenderëve të pranuar: 4” thuhet në njoftimin e këtij institucioni, përcjell Demokracia.com.

Kontrata mes kompanisë fituese dhe ministrisë do të nënshkruhet gjatë ditës së nesërme, më 24.06.2022.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe disa detaje sesi do të duken perdet dhe çfarë ngjyre do të kenë.

“Furnizim dhe montim i perdeve vertikale-trake (paluese) të cilësisë së lartë, me elementet  e nevojshme – ngjyra caktohet nga menaxheri i projektit –kërkesës se njësisë kërkuese. M2, 3700. Furnizim dhe montim i perdeve rrollne te cilësisë se larte, me elementet  e nevojshme – ngjyra caktohet nga menaxheri i projektit- kërkesës së njësisë kërkuese M2, 100”, thuhet në dosjen e tenderit. /Demokracia.com/