Ministria e Shendetësisë pranon kërkesën e FFK’së për të rinisur kampionati: Pritet fjala e fundit nga IKSHPK

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës – për të rinisur stërvitjet dhe garat e futbollit në vendin tonë.

Federata e Futbollit të Kosovës dje ka mbajtur mbledhje me klubet e Superligës – për të diskutuar për rinisjen e kampionatit, me ç’rast janë dakorduar që të kërkojnë nga Ministria e Sportit dhe Ministria e Shëndetësisë që të fillojnë ndeshjet e DigitAlb Kupës me 24 maj, ndërsa kampionati me 1 qershor, pasi afatet e parapara për rikthimin e aktiviteteve sportive me masat lehtësuese nga Ministria e Shëndetësisë nuk i mundësojnë FFK-së përfundimin e garave në afatet e parapara të UEFA-s.

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic’, ka njoftuar se MSH ka pranuar kërkesën e FFK’së për të rinisur stërvitjet dhe garat – megjithatë pritet edhe një rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rreth kësaj çështje.

“Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesën e FFK-së qe t’u lejohen aktivitetet dhe garat dhe ka kërkuar nga IKSHPK që të jap një rekomandim rreth kësaj çështje. Kur të kemi shpjegimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, me to do të njoftohet Federata, sikur edhe për aspektet e tjera që lidhen me aktivitetet sportive”, ka thënë Hoti.

Tashmë duhet pritur përgjigja e IKSHPK-së lidhur me këtë çështje, pasi Minsitria e Shëndetësisë ka dhënë dritën e gjelbër për të rinisur futbolli në Kosovë.