Ministria e Infrastrukturës: Ja përse zgjodhëm variantin përgjatë Drinit për Autostradën e Dukagjinit

Ministria e Infrastrukturës me anë të një komunikate dërguar për media ka sqaruar përzgjedhjen e variantit final të autostradës së Dukagjinit.

Sipas MIT deri tek kjo përzgjedhja e variantit nga komiteti ndërministror për këtë projekt, janë mbajtur debate publike në të cilat kanë qenë të pranishëm Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kompania projektuese, njësiti mbikëqyrës e drejtues komunal.

“Po i referohemi pikërisht komunës së Rahovecit tek të cilët nuk kemi hasur një kundërshtim kaq të zëshëm që po paraqitet në medie tani për variantin e përzgjedhur”.

“Për ri-informim të qytetarëve të kësaj komune dhe informim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në vazhdim po ju japim detajet se përse varianti përgjatë lumit Drini i Bardhë është më i favorshëm për Rahovecin”.

“Gjatë hartimit të varianteve ideore, përveç kritereve teknike që dalin nga detyra projektuese, ne kemi marrë parasysh edhe këto kritere dhe analiza profesionale si:

Shpronësimi, (janë marrë për bazë të shpronësohen sa më pak toka bujqësore)
Faktori ekonomik, (të jetë me kosto ekonomikisht më i favorshëm),
Topografia e terrenit, (janë marrë parasysh gërmimet, mbushjet, urat, tunelet, nënkalime, mbikalimet, viadukte)
Gjeologjia dhe hidrologjia, (është marrë parasysh stabiliteti i truallit dhe trajtimi i rrjedhjes ujore),
Faktori ekologjik (ndikimet minimale në mjedis, trajtimi i ujërave sipërfaqësore nga rruga flora dhe fauna)”
“Mbi bazën e këtyre analizave në konsultim me ekspertët relevant, është përzgjedhur varianti paralel me lumin Drini i Bardhë për të vazhduar me hartimin e projektit detal, si rezultat i këtyre përparësive krahasuar me variantet tjera, si:

Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë,
Parandalimi i degradimit të lumit Drini i Bardhë,
Shpronësim minimal i tokave bujqësore dhe tokave private
Aksi i autostradës kalon më shumë se 70% mbi sipërfaqe të degraduar të tokave bujqësore rreth lumit,
Nuk do të ketë as një parcelë të ndarë në dy pjesë, dhe
Krahasimet tjera mes dy varianteve (Variant 1 dhe Varianti ka lumi Drini i Bardhë)”

“Krahasimet janë bërë prej fshatit Marmull X=7458208.6527 Y=4691962.2659 deri te autostrada R7 X=7479761.3204 Y=4682459.9893”, sqaron MIT.


Kosto e ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit do të jetë rreth 600 milionë euro, ndërsa do të shpronësohen rreth 623 hektarë, prej të cilave jo të gjitha janë private.