Ministria e Infrastrukturës fillon punimet në zgjerimin e rrugës në qendër të Deçanit

Ministri i Infrastruktures dhe Transportit, Pal Lekaj, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosoves, Ramush Haradinaj, të premtën morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve, në zgjerimin e rrugës regjionale R 107 në qendër të Deçanit.

Me këtë rast, ministri Lekaj shprehu edhe një herë përkushtimin e MIT-së dhe mbarë Qeverisë Haradinaj, në zhvillimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët, në secilën komunë të Kosovës.

Këtë premtim para të pranishmëve e përsëriti edhe Kreu i Ekzekutivit, Ramush Haradinaj. Ai çmoi punën e palodhshme të ministrit Lekaj, në implementimin e projekteve madhore për vendin.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u shpreh mirënjohës për ndihmën financiare që MIT po i jep komunës që ai drejton.

Zgjerimi i rrugës katërkilometërshe në katër korsi, bashkë me trajtimin e rrugëve dytësore përreth saj, kap shifrën 5 milionë e 884 mijë euro. Kjo rrugë është e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Deçanit, por lidh edhe komunat e tjera përreth mes vete.