Ministria e Ekonomisë jep detaje rreth marrëveshjes Telekom-Devolli, që mundësoi zhbllokimin e llogarive

Telekomi i Kosovës, me lehtësim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka arritur të zhbllokojë llogaritë bankare, me një marrëveshje me operatorin “Dardafone.net”.

Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.

Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit.
Kjo marrëveshje që u përgatit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe u nënshkrua nga ministri Blerim Kuçi bashkë me Bordin e Telekomit, do të bëj zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.

Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, Telekomi ka marrë obligime për të investuar në teknologjinë e tyre, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383. Gjithashtu, në zotimet e Bordit të Telekomit, kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet.
Duhet bërë e ditur që Telekomi i Kosovës  do të kthen këto mjete të subvencionimit në llogarinë e Qeverisë së Kosovës.