Ministria e Ekonomisë i kërkon Postës të anuloj vendimin për ndryshimin e koeficientit të pagave

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit i ka kërkuar Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës që të anulojë vendimin për ndryshimin e koeficientit të pagave.

“Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, nëpërmes Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i ka dërguar shkresë Bordin e Përkohshëm të Postës së Kosovës, duke i bërë thirrje që të anulojë vendimin për ndryshimin e koeficientëve të pagave. Ky veprim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është ndërmarrë sapo ka ardhur procesverbali nga mbledhja e Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës, të mbajtur më 03.12.2020”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj ministrie është e papranueshme që të rriten pagat në Postë nuk e njëjta nuk është duke qëndruar në gjendje të mirë financiare.

“Ndryshimi i koeficientëve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet. Për më tepër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka sugjeruar më parë këtë ndërmarrje që të zvogëlojë pagat për 30% për pozitat e larta udhëheqëse”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në ndërkohë lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe Posta e Kosovës. Në reagimin e tyre thuhet se pagha nuk i është rritur askujt.

“Bordi i Përkohshëm i Postës, në  kuadër të reduktimit të shpenzimeve ka planifikuar nivelin e ri të koeficientëve, duke filluar nga grada 17 e zyetarëve të lartë, deri te grada 1 tek punëtori i terrenit. Andaj, Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës, nuk ka pasur asnjë  mundësi të filloi zbatimin dhe nivelin e ri të Biznes Planit për vitin 2021, pa e kthyer rregullsinë ku eprori paguhet më shumë se vartësi”, thuhej në reagimin e Postës.