Ministria e Drejtësisë do t’i punësojë 100 studentë që do të merren me hulumtime në terren

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur takim me Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, shkruan ballkani.info

Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka thënë se, pas themelimit të institutit, do të punësohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtime në terren.

“Sot kam mbajtur takimin e parë me Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Bazuar në rëndësinë dhe nevojën që ka dokumentimi i krimeve të luftës, themelimi i një mekanizmi për këtë çështje, është ndër prioritetet e mia si Ministër i Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe i Qeverisë. Kosova duhet ta ngris këtë institut me qëllim të ruajtjes së memories sonë kolektive. Pas themelimit të institutit, do të punësohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtime në terren”, ka bërë të ditur Selimi. /Ballkani.info/