Ministria e Arsimit kërkon falje për “gishtin e mesëm” të zyrtarit të tyre

Në një postim të fundit në Facebook, MASHTI ka publikuar disa fotografi nga përurimi i një shkolle në Gjakovë.

Por, aty fotografia e fundit çudiste. Ishte një burrë duke bërë një veprim të turpshëm, duke vendosur gishtin e mesëm dikujt.

Pak minuta më pas, Ministria e ka larguar fotografinë.

Rreth kësaj situata ka reaguar Ministria e Arsimit duke kërkuar falje përmes një njoftimi për media përmes zyrtares për komunikim me media, Besa Bytyqi.

Njoftimi i plotë:

Sot, gjatë publikimit në rrjetin social zyrtar të MAShTI në facebook të komunikatës për vënien e gurëthemelit të shkollës së re në Ponoshec, zyrtari gabimisht e ka publikuar edhe një foto që nuk ka pasur të bëjë me ngjarjen. Edhe pse, shumë shpejt ka reaguar dhe e ka larguar, kjo foto u bë lajm.

Në emër të Divizionit për Komunikim Publik të MAShTI, i kërkoj falje medieve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë lëshim të paqëllimshëm.

Jemi përpjekur që të jemi gjithmonë në nivel të detyrës, me staf të paktë në numër e me punë shumë dhe, siç e dinë të gjithë ata që punojnë në komunikim me publikun, pa orar dhe në kushte e rrethana jo gjithmonë të lehta, në mënyrë që ta sjellim sa më shpejt lajmin te JU! Prandaj, edhe mund të gabojmë dhe për këtë kërkojmë falje dhe mirëkuptimin tuaj!

Do të vazhdojmë me përkushtim punën, në mënyrë që të jemi në shërbim të medieve e qytetarëve brenda përgjegjësive që kemi, për të garantuar transparencën e MAShTI-t në raport me publikun.

Sinqerisht,

Besa Bytyqi, udhëheqëse e Divizionit për Komunikim Publik në MAShTI.