Ministria e Arsimit dërgon deputeten e Nismas në një udhëtim zyrtar

Deputetja e Nisma për Kosovën, Albulena Balaj-Halimaj ka realizuar një vizitë studimore një javore, në muajin prill të këtij viti, në Zvicër.

Balaj-Halimaj, udhëtoi për në Zvicër me shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila vizitë kishte për qëllim menaxhimin e sistemit arsimor në bazë të sigurimit të cilësisë si dhe sistemit të vlerësimit për performancën e shkollave në arsimin parauniversitar si dhe zhvillimi i mësimit plotësues.

Në lidhje me këtë udhëtim, Telegrafi ka siguruar një dokument ku tregohet se mbulimet e shpenzimeve një javore nga data 15-21 prill të këtij viti, janë lëshuar me vendim të sekretarit të MASHT-it, Ekrem Kastrati.

Mirëpo, këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT),Valmir Gashi për Telegrafin ka thënë se vendimi është në përputhje të plotë me procedurat ligjore.

Sipas tij, deputetja Balaj-Halimaj, veç si anëtare e Komisionit për Arsim, ka qenë edhe pjesë e grupit profesional.

“Vendimi në fjalë është në përputhje të plotë me procedurat ligjore. Deputetja Balaj-Halimaj, veç si anëtare e Komisionit për Arsim, ka qenë edhe pjesë e grupit profesional. Në varësi të çështjeve ne kemi raste kur anëtarët e komisioneve parlamentare janë edhe pjesë e anëtarëve të komisioneve në kuadër të Ministrisë”.

Ndërkaq, deputetja e Nisma për Kosovën, Albulena Balaj-Halimaj në një prononcim për Telegrafin ka pranuar se ka udhëtuar në një vizitë zyrtare në Zvicër, në kuadër të një ftese që ka marr nga MASHT-i.

Balaj-Halimaj tha se për këtë udhëtim e ka njoftuar edhe , Kadri Veseli, i cili i ka lëshuar një vendim për mundësi të udhëtimit.

“Po është e vërtetë, kam marr ftesë nga MASHT-i. Unë iu kam drejtuar kryetarit të Kuvendit dhe kryetari ma ka lëshu vendimin që mund të udhëtoj. Pastaj kam njoftuar komisionin e arsimit që do të shkoj në këtë udhëtim dhe kam shkuar”, u shpreh ajo.

E pyetur se me cilat shpenzime është realizuar vizita, ajo tha: “Po besoj që ministria e Arsimit, pasi më këtë merret administrata e Grupit Parlamentar, e besoj që në bashkëpunim me administratën e MASHT-it janë marr vesh për shpenzime. Nuk e di me detaje. Kjo është vizita ime e parë që kam marr ftesë nga ndonjë ministri dhe e fundit për momentin”.

Ndërsa, kryetari i komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi ka thënë se në komisionin të cilin ai e drejton nuk është diskutuar për shkuarjen e kujtdo qoftë në këtë udhëtim.

“Jo, komisioni nuk e ka dërguar asnjë deputet. Shkuarja nuk ka pasur lidhje me komisionin. Sigurisht në marrëveshje me ministrinë por, në komision nuk është kërkuar asnjë deputet dhe as që është diskutuar për shkuarjen e kujtdo qoftë. As nuk është njoftuar komisioni për një çështje të tillë”, tregoi Kurteshi.