Ministri Zemaj ka tri kërkesa pas kalimit të buxhetit në lexim të parë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se pas kalimit të Ligjit të Buxhetit në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ka adresuar tri kërkesa të arsyeshme për përkrahje shtesë buxhetore që dalin si nevojë e mbështetjes për furnizim të domosdoshëm me barna, sidomos për terapitë që konsiderohen për sëmundje të rralla.

“Po ashtu, është e njohur që përkundër shtimit të numrit të profesionistëve shëndetësorë, akoma ky sektor ka mungesa të konsiderueshme me të cilën duhet vazhduar rritja e numrit qoftë edhe për përballjen me pandeminë Covid19.

Avancimi profesional i mjekëve të rinj, të cilët në këtë vit ju mundësua të kyçen në sistemin shëndetësor përmes shkollimit specialistik, MSh dhe Qeveria ofroi mundësi pagese për më shumë se 80% të të pranuarave, ndërsa nevoja për përkrahje buxhetore konsiston edhe arsyeshmërinë që të rritet buxheti edhe për 270 specializantë të cilët janë bërë pjesë e shkollimit specialistik me vetëfinancim. Duke pasur parasysh se kushtet ekonomike por edhe nevojën për më shumë specialistë të fushave të ndryshme, kërkojmë që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për këta mjekë të rinj”, shkruan Zemaj.

Ai tutje thotë se beson fuqishëm se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po ashtu edhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere se do të përkrah këto kërkesa të arsyeshme.

“Sigurisht që fjalën përfundimtare e kanë deputetët e Kuvendit të cilët jo rrallë herë kanë kërkuar dhe kanë shfaqur përkrahje për fëmijët të cilët vuajnë nga “Fibroza Cistike”, rritje të numrit të profesionistëve shëndetësor si dhe mundësi më të mira për të vazhduar mjekët e rinj shkollimin dhe avancimet profesionale”, përfundon Zemaj.