Ministri Vitia: Një valë e re e COVID deri në vjeshtë e pashmangshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas marrjes së vaksinës anti-COVID ka folur në një konferencë për media, me ç’rast ju ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen.

Vitia ju ka bërë thirrje që të vaksinohen pasi vendi pritet të goditet nga një valë e re e COVID-19.

“Nëse sot refuzojmë të vaksinohemi, një valë e re COVID është e pashmangshme dhe variant i ri i COVID është prezent edhe në vendin tonë. Nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është e pashmangshme, vetëm përmes vaksinimit ruajmë shëndetin tone”, tha Vitia në konferencë, shkruan Reporteri.net.

Ai ka siguruar qytetarët që vaksinat janë dhe do të jenë të sigurta dhe se nuk do të marrin vaksina nga Rusia e Kina.

“Kemi dhe do të marrim veç vcaksina të aprovuara, as ruse e as kineze, s’ka të bëjë me politikën, por me sigurinë e vaksinave dhe qytetarëve tone”, tha Vitia.

Ai tha se vaksinimi nuk ka alternativë dhe imunizimi i 60 për qind të popullatës.
“Efektet anësore deri tani janë të papërfillshme krahasuar me përfitimet e vaksinimit”, ka thënë Vitia.