Ministri Vitia merrte 3500 euro në muaj në spitalin privat ku punonte

Ministri Arben Vitia ka folur për pozitën e tij dhe pagën në institucionin privat shëndetësor “Olive” para se të emërohej për herë të tretë në pozitën e ministrit të shëndetësisë.

Vitia ka thënë se pozita e tij në këtë institucion ka qenë koordinator i cilësisë dhe se paga e tij ka qenë 3500 Euro bruto.

“Pozita ime ka qenë koordinator i cilësisë. Paga ime ka qenë 3500 Euro Bruto. Ju keni thënë se paga ka qenë mbi 5 mijë euro”, ka deklaruar Vitia, duke iu përgjigjur deputeti të PDK-së Bekim Haxhiu.

Vitia poashtu ka treguar se bashkëshortja e tij është e punësuar në këtë spital.

Këto deklarata Vitia i bëri pas pyetjeve që ia shtroi Haxhiu. Vitia i është përgjigjur në të gjitha pyetjet duke i thënë se “Ka kaluar koha kur deputetë të caktuar vijnë në zyret e prokurimit në MSH dhe bëjnë presion për ta fituar tenderin një kompani me vitamin C nga Serbia. E dini ju shumë mirë këtë që po e them”.

Haxhiu në replikën e tij ka thënë se nuk ka informacione se ku gjenden zyrat e prokurimit të MSH-së dhe nuk ka shkuar asnjëherë në MSH për takime private.