Arben Vitia

Ministri Vitia: Kam drojën që do të vazhdojë ikja e mjekëve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot ka folur në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, derisa përmendi disa nga të arriturat e vitit të kaluar në këtë sektor dhe për programin kombëtar për zhvillim 2024-2026, përmendi edhe shqetësimet që ka për ikjen e mjekëve.

Ai u pyet nga deputetët nëse ka një strategji për ta ndalë këtë dukuri dhe në përgjigje Vitia thotë se me këtë problem përballen edhe vendet perëndimore dhe shprehur drojën se ikja do të vazhdojë.

“Në shkurtin e 2023-s, mendoj që ka qenë rritja më substanciale për mjekët specialistë, kjo ka qenë e para në këtë funksion, sa i përket kushteve të punës, po në QKUK janë duke u bërë transformime rrënjësore në shumë prej klinikave të cilat kanë pas nevojë që të investohet për shumë vjet me radhë, në anën tjetër specializantët të cilët gjatë vitit 2020, kanë marrë specializime me vetëfinancim, ka vazhduar subvencionimi i vazhdueshëm i tyre përkundër që kanë nënshkruar një kontratë ku ata pranojnë që ata vet t’i bartin shpenzimet e këtij specializimi, por një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që ne përkundër të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, tha ai, siç raporton KP.

Vitia tha se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore janë në proces.

Ai shtoi se vendosja e standardeve për sigurinë e barnave dhe përballueshmërinë e çmimit të tyre është në fazën e fundit.

VIDEO BONUS: Aksioni kundër strukturave serbe, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog