Ministri Tahiri ka një kërkesë për kryeprokurorin e Speciales

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Prokurorin e Specializuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet e saja ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin për media të ministirsë së Drejtësisë.

Gjatë takimit, ministri Tahiri kërkoi nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare.

Pas takimit të veçantë mes ministrit Tahiri dhe Prokurorit Smith, është mbajtur edhe një takim i përbashkët me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.