Gjykata

Ministri Sveçla dhe tre të deputetët deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Deklarimin rreth fajësisë, ministri dhe deputetët e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.

Sveçla, Millaku dhe Zyba thanë se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Po ashtu, edhe Pacolli-Dalipi, e cila shtoi se ka vepruar në përputhje me betimin që ka dhënë si deputete.

“Deklarohem si e pafajshme, kam vepru në përputhje me betimin që kam dhanë si deputete e Kosovës, që punoj për interes të vendit tim”, tha Pacolli-Dalipi.

Meqenëse të pandehurit nuk e pranuan fajësinë, të njëjtit u njoftuan se brenda afatit ligjor mund të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend, ministrit Sveçla dhe të tjerëve iu parashkruhet njëra vepër penale

Prishtinë- Në gjykimin ndaj ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetë të Vetëvendosjes, të cilët po akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2018, gjykatësi Sabit Sadiaj bëri të ditur se të akuzuarve iu ka parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Këtë gjë, gjykatësi Sadikaj e bëri të ditur me të filluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai tha se vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” pretendohet se është kryer më 21 mars 2018, kurse parashkrimi ka arritur më 21 mars 2024.

Gjykimi vazhdon për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.

Seanca e  6 shkurtit  dhe ajo e 1 marsit ishin shtyrë në mungesë të të akuzuarës Millaku.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.