Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos lëkundet në vendimin për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe, pavarësisht presioneve të pareshtura të bashkësisë ndërkombëtare, të ardhura veçmas nga SHBA-ja.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë kanë ardhur dy zyrtarë të lartë amerikanë për të kërkuar pezullimin e taksës, por Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka theksuar sërish se masa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet.

“Arsyet pse qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur një masë të tillë janë të ditura dhe përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat neve si qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shtyrë të marrim një vendim të tillë taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka deklaruar ministri Shala gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Ndërkohë, as Kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka shfaqur kurrfarë sinjali se tarifa mund të suspendohet, as pas takimit që ka pasur dje me zyrtarët amerikanë.