Ministri Shala: Nga sot secili produkt duhet ta ketë të vendosur flamurin afër çmimit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që rregullon fushën e përdorimit të flamujve nëpër produktet.

Ai ka bërë të ditur se të gjithë janë të obliguar të vendosin flamurin derisa ka dhënë shpjegime se ku duhet të vendoset në produkt.

“Flamuri duhet të jetë i vendosur në anën e majtë, afër çmimit të produktit, në madhësi të çmimit, por jo më i vogël se 4 cm me 2cm. Ftoj të gjithë shitësit që ta respektojnë këtë udhëzim dhe të jenë bashkëpunues, sepse ky është edhe një hap në vetëdijësimin e konsumatorit, për mënyrën e blerjes së produkteve në tregun e Kosovës”, ka shkruar Shala, në Fb.

“Tashmë secili konsumator dhe qytetar i Kosovës do ta dinë saktë se produktin e cilit vend do ta blen. Ne po punojmë çdo ditë që të rrisim prodhimin vendor, të përmirësojmë cilësinë e prodhimit vendor, prandaj ky është edhe një hap tutje për inkurajimin e qytetarëve të Kosovës që të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore”, ka shtuar ai.