Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq ka thënë sonte se në këtë momente situata në Kosovë është e qetë dhe nuk ka arsye për shqetësim më të madhe të popullësisë serbe.
“Jemi duke e përcjellë situatën në terren dhe do të shohim se çfarë po ndodh në mënyrë që saktësisht ta paralajmërojmë popullësinë tonë se çfarë duhet të bëjë”, ka thënë ai për rts.
Sipas tij, situata është e tensionuar kurdo që ndodh një akt i tillë, sidomos pasi që nuk ka komunikim të drejtpërdrejt me institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tij, as kryetarët serb e as autoritetet e Serbisë nuk i njoftojnë për planet e tyre, transmeton Ballkani.info.
“Gjatë ditës kemi pasur lëvizje të njësive ROSU dhe njësive tjera policore të Kosovës, si dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, kanë dalë nga kazermat dhe janë stacionuar në pjesën jugore, ose afër aty, pastaj kemi pasur lëvizje të forcave kufitare të Kosovës të cilat tash janë nisur drejt zonës së gjelbër, në vijën administrative ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës sot ia kanë shpalosur shqetësimin e tyre presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe vendosmërinë që të luftojnë për të drejtat e tyre. Sipas tij, ata e kanë mbështetjen e shtetit të Serbisë. /Ballkani.info/







