Aleksandar Vulin

Ministri serb i Mbrojtjes: Kosova po armatoset nga e gjithë bota

Territori i Kosovës ndodhet nën administrimin e dhunshëm të Kombeve të Bashkuara dhe përbën burimin më të madh të pasigurisë në rajon.

Kështu citohet nga mediat e Beogradit të ketë thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ai ka thënë se Prishtina e ka të qartë se përmes negociatave nuk mund të bëhet shtet, për çka ka pasur shpresa.

“Ne kemi pranuar të zhvillojmë një formë bisedimesh nën mbikëqyrjen e BE-së dhe deri sa të mos pajtohen të gjithë nuk ka përfshirje të Amerikës e as të ndonjë tjetri”, i ka thënë Vulin TV Pink të Beogradit, duke pohuar se shqiptarët ikin nga çfarëdo negociate.

Sipas tij, Prishtinën po e armatosin nga e gjithë bota, pavarësisht se disa vende të NATO-s nuk pajtohen që forcat e armatosura të Kosovës të shndërrohen në ushtri dhe ka shtuar se armatimi i tyre përbën problem serioz të sigurisë.

Duke i komentuar deklaratat në media të disa deputetëve gjermanë e të oficerëve italianë e grekë që kanë qenë në Kosovë, Vulin ka thënë se është e qartë “se kushdo që ka kaluar një kohë në Kosovë e Metohi prej andej është kthyer si serb i bindur dhe flet zi e më zi për shtetin e shqiptarëve (me shprehjen pezhorative ‘shiptarskoj drzhavi’ – sqarim ynë), që nuk është rastësi”, ka thënë ministri serb i Mbrojtjes.