Ministri serb i Mbrojtjes: Jo vetëm dronë, Kosova ka blerë sistemin anti-tank më të mirë se ‘Javelini’ që po përdorin ukrainasit

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka vlerësuar se armatosja e Kosovës nga anëtarët e aleancës së NATO-s në periudhën e fundit nuk e ndryshon balancën e forcave, por ndryshon “situatën në terren”.

“Këto janë sfida dhe rreziqe shumë më serioze të sigurisë për vendin tonë. Ne absolutisht nuk mendojmë, por zbatojmë gjithçka që do të ishte kundërmasë, në mënyrë që ushtria serbe t’i përgjigjet atij rreziku. Kundërmasa në kuptimin e ndalimit të atyre avionëve (dronëve Bajraktar TB2), qoftë përmes efektit të sistemeve të caktuara, qoftë përmes neutralizimit elektronik”, tha Vuçeviq për televizionin B92.

Ministri vlerësoi se është e padiskutueshme që anëtarët individualë të NATO-s e kanë armatosur Kosovën “shumë më seriozisht” së fundmi, duke theksuar se këtë nuk e bën e gjithë aleanca.

“Jo vetëm që po trajnojnë, edukojnë, përmirësojnë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tyre, por tani po bëjnë edhe dërgesa më serioze të armëve dhe pajisjeve ushtarake, në kundërshtim absolutisht me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe shkelje absolute e marrëveshjes ushtarako-teknike nga Kumanova”, tha Vuçeviq.

Ai shtoi se Kosova ka pranuar pesë mjete ajrore turke pa pilot, d.m.th., dronë “Bajraktar TB2”, të cilat, siç ka thënë, janë armë të karakterit sulmues, por edhe sisteme “umtas” kundër armaturës dhe antitankut, po ashtu turke.

“Është më i fuqishëm se “javelin” që ukrainasit morën kundër rusëve, në fushën e betejës ukrainase. Kanë marrë mortaja 82 dhe 120 mm, të gjitha me municion, kanë marrë granatahedhës dhe diçka tjetër që nuk është për t’u nënvlerësuar”, tha ai.

Duke folur për deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se Policia e Kosovës është pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Vuçeviq tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila,  sipas tij, ekziston në kundërshtim me aktet publike ndërkombëtare, është pasardhëse e UÇK-së.

“Në pajtim me marrëveshjet që kanë me anëtarë të caktuar të paktit të NATO-s, Forcat e Sigurisë së Kosovës po shndërrohen në Forca të Armatosura të Kosovës ose lexoje – Ushtrinë e Kosovës. Madje e shkurtuan atë afat nga 2027 në 2026, kanë një parashikim se do të transformojnë diçka që mund ta quajmë mbrojtje territoriale, tani me konturat e ushtrisë, edhe më shpejt”, tha Vuçeviq.

Duke folur për ndalimin e eksportit të pajisjeve ushtarake dhe armëve të prodhuara në industrinë e dedikuar serbe për 30 ditët e ardhshme, ai tha se ishte “një veprim logjik për shkak të gjithçkaje që po ndodh në Kosovë”.

Ministri hodhi sërish poshtë akuzat nga Belgjika se Serbia bleu pajisje për prodhimin e municioneve, të cilat më vonë ia shiti Rusisë.

“Që ne e kemi blerë atë pajisje nga belgët, por është e pasaktë që kemi prodhuar diçka që ia kemi shitur Rusisë. Meqë ra fjala, 90 për qind e asaj që prodhohet nga municioni në Serbi shkon në tregun amerikan”, tha Vuçeviq.