Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, me ftesë të homologes gjermane, Julia Klockner, ka marrë pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi 2019, i cili u zhvillua në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë forum, i cili mbahet në kuadër të Panairit ndërkombëtar “International Green Week”, Kancelaria gjermane, Angela Merkel, ka pritur në takim ministrat e Bujqësisë nga vende të ndryshme të botës, në të cilin takim ka marrë pjesë edhe ministri Nenad Rikalo.

Gjatë fjalimit të saj, Kancelaria Merkel ka folur për rëndësisë e teknologjisë digjitale për të ardhmen e bujqësisë, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa, ministri Rikalo, ka zhvilluar takime me homologët e tij nga vendet pjesëmarrëse në këtë forum, por edhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme të bujqësisë nga Gjermania dhe vende të tjera.

“MBPZHR-ja edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë në vend, me qëllim të rritjes së prodhimit bujqësor dhe zhvillimit të bizneseve në këtë fushë që do të shtojnë vende të reja të punës por edhe do të rrisin cilësinë dhe sasinë e produkteve vendore”, ka thënë Rikalo.

“Po ashtu, jemi të fokusuar dhe të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e bujqësisë”.

Krahas këtyre takimeve, ministri Rikalo do të marrë pjesë edhe në hapjen e ngjarjes më të rëndësishme për bujqësinë dhe ambientin, “Java e Gjelbër Ndërkombëtare”, që po ashtu mbahet në Berlin, në të cilin prezantohen dhjetëra shtete nga e mbarë bota.