Ministri Peci paralajmëron kontrolle pas subvencionimit të bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë të premte, ka vizituar Komunën e Dragashit, me ç’rast është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bexhet Xheladini.

Të dy diskutuan për format e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që t’i bashkërendojnë politikat bujqësore me qëllim të zhvillimit të sektorit, njofton Klankosova.tv.

Ministri Peci e ka njoftuar kryetarin Xheladini për investimet që planifikojnë t’i realizojnë në sektorin e bujqësisë, përmes programeve mbështetëse, si dhe kërkoi nga ai që, përmes drejtorisë për bujqësi, t’i bashkërendojnë aktivitetet për kontrollin në terren që do të pasojë pas aplikimit për Program të Pagesave Direkte – Subvencioneve 2022.

“Dragashi ka një potencial për zhvillim të mëtutjeshëm, ndërsa përmes programeve tona mbështetëse të granteve dhe subvencioneve, ne do të vazhdojmë ta prioritizojmë bujkun kosovar, në mënyrë që ai të ketë mundësi të rritet dhe të zgjerojë veprimtarinë e vet. Po ashtu, lartësia mbidetare iu mundëson fermerëve të Dragashit që të kultivojnë prodhime cilësore e njëherësh edhe të kërkueshme në treg”, ka thënë Peci.