Nga Baza Ajrore në Farkë të Tiranës, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, njoftoi për nisjen e kontingjentit të parë të helikopterëve nga Shqipëria për t’iu bashkuar misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë.
Nufi tha se pjesëmarrja e 13 efektivëve të Forcave të Armatosura shqiptare është dëshmi e profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përgjegjësive që vendi ynë përmbush si aleat i përkushtuar i NATO-s.
“Për Shqipërinë, ky mision ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për lidhjen vëllazërore dhe historike me Kosovën, por edhe sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë”, u shpreh ministri Nufi.







