Ministri Mehaj i ndan medalje këngëtarit Ilir Shaqiri

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, i ka ndarë sot medalje me simbole të Dardanisë, këngëtarit dhe autorit të njohur të këngëve shqipe, Ilir Shaqirit.

Këtë e ka bërë të ditur vet këngëtari Ilir Shaqiri i cili e vlerësoi lartë këtë veprim të ministrit Mehaj.

”Sot, në ditën kur po komunikohej lajmi së, ushtrisë sonë profesioniste po i shtohej numri prej 850 ushtarësh të rinj, Ministri i Mbrojtjes z. Armend Mehaj zgjodhi të ma komunikonte këtë lajm në zyrën e tij, në Prishtinë.

Kënaqësi për mua, kënaqësi për të gjithë ne, kur shohim që ushtria jonë po rritët dhe modernizohët hovshëm, duke ruajtur thelbin – frymën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

E vlerësoj pamatshëm këtë medalje tepër domethënëse për mua!

Faleminderit, zoti Ministër!

Faleminderit, USHTRIA e zemrës sime!”.

Ndërsa vet ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se i është mirënjohës këngëtarit Ilir Shaqiri për kontributin e tij në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave më të larta të këngës patriotike.

”Pas një dite shumë intensive, sot ishte kënaqësi të pres në zyrën time, Artistin e Madh të Kombit, këngëtarin tonë të mirënjohur, Ilir Shaqirin.

Me këtë rast, Ilirit i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për kontributin e tij të madh në kulturën dhe artin kombëtar.

Atij i vlerësova edhe rolin e tij të jashtëzakonshëm me krijimtarinë e tij të madhe artistike, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave më të larta të këngës patriotike, që mbajti gjallë dhe fuqishëm shpirtin patriotik dhe liridashës të popullit tonë në kohë shumë të vështira.

Vlerësimi i tij për punën, angazhimin dhe sukseset tona të deritashme ishte nder, por edhe më shumë përgjegjësi, që të vazhdojmë me intensitet edhe më të madh, për realizimin e amanetit të gjithë të rënëve për liri, që u këndoi dhe do t’u këndoj gjithmonë, Ilir Shaqiri”.