Ministri Ismaili rreth arrestimeve në MSh: Do të jemi të pakompromis në luftën kundër korrupsionit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka folur edhe njëherë për arrestimet e fundit të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur avanset gjatë viteve 2015-2018.

Ministri Ismaili ka thënë se i vjen mirë që vendimi i tyre për të ndaluar ciklin e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë për disa vite, është pasuar me veprime konkrete nga organet e rendit.

Në reagimin e tij, ministri Ismaili ka ftuar organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë çështje deri në fund, duke thënë se do të jenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit.

Lexoni reagimin e plotë të ministrit Uran Ismaili:

Më vjen mirë që vendimi jonë për të ndaluar ciklin e keqpërdorimeve të avanseve në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë viteve 2015-2018, ka pasuar me një varg veprimesh konkrete nga organet e drejtësisë.

Arrestimet e ditëve të fundit janë dëshmi e luftës së pakompromis që po bëhet nga Ministria e Shëndetësisë për të vënë rend, duke e goditur çdo dyshim për krim të organizuar dhe korrupsion.

Që nga ditët e para të marrjes së drejtimit të kësaj ministrie, e kam bërë të qartë se nuk do tolerohet asnjë keqpërdorim dhe se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.

Përgëzoj edhe njëherë organet e rendit për punën efikase që kanë bërë gjatë këtyre muajve dhe i ftoj që të zbardhin këtë rast deri në dyshimin e fundit.

Lufta e jonë ndaj korrupsionit është e pakthyeshme. Korrupsionin do ta godasim kudo që e takojmë. Tek barnat, shërbimet shëndetësore, e aq më tepër tek zyrtarët institucional.