Ministri i “udhëtimeve”| Rifat Latifi shkon pak te miqtë e Kurtit

Pak kohë pasi mori postin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mars, ai vizitoi Turqinë, ndërsa sot ndodhet në Norvegji.

Ministri Latifi siç duket i ka me qejf vizitat nëpër vende të ndryshme, pasi shumë rrallë gjendet në Kosovë.

Në fund të marsit, Latifi vizitoi Turqinë, ndërsa këtë muaj ndodhet në Norvegji.

Siç ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media, Latifi atje është takuar me mjekë dhe profesionistë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Norvegji.

Latifi përgjatë muajve sa ka udhëhequr një prej dikastereve më të rëndësishme në vend, në kohën kur Kosova ende po përballet me Covid-19, është kritikuar shumë.

Rreth dy muaj më parë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se i ka dërguar letër Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Në letër, siç thuhej, është kërkuar dorëheqja e ministrit Latifi pasi ai nuk ka reaguar për ngritjen e mirëqenies së punëtorëve shëndetësor.

Ndërkaq, kryetarët e komunave kishin konfirmuar se Latifi nuk po komunikon me ata, duke mos i ftuar as në diskutimet për masa anti-Covid.