Ministri i Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq i bashkohet protestuesve në Mitrovicën e Veriut

Serbët e Kosovës po protestojnë në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Në mesin e protestuesve janë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq dhe Slavko Simiq.

Protestuesit po mbajnë parullat “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po protestojnë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë ardhur në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.