E njohur edhe si “masha e Kurtit”, Dejona Mihali, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, është parë sërish në Prishtinë, pak ditë pasi u intervistua nga Prokuroria Speciale. Lexues të Nacionales, kanë dërguar pamje ku ajo shihet me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Çeku si duket ditën e ka nisur me “ligjerata të vlefshme” nga Dejona Mihali, e cila në këto pamje, shihet duke folur diçka.

Ndërkohë, është e ditur tashmë se Mihali u tregon deputetëve e zyrtarëve të Vetëvendosjes se si t’i përgatisin qëndrimet e tyre.

Kjo ishte pranuar edhe nga vetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, njëherit nënkryetar i VV-së.

“Dejona Mihali e ka një pozitë shumë të rëndësishme në VV. Është kryetare e komiteteve të VV. Komitetet e bëjnë politikën e VV-së, e prodhojnë politikën profesionale të VV. Dhe politika profesionale është në bashkëpunim me deputetët, se si t’i përgatisin qëndrimet e tyre, si t’i përgatisin fjalimet e tyre, edhe unë konsultohem ndonjëherë me Dejona Mihalin, por nuk mendoj se ajo më jep urdhra mua.” – kishte thënë ai.

Për çka u intervistua Mihali?

Burimet e Gazetës Nacionale bënë të ditur se zyrtarja e lartë e partisë në pushtet u intervistua nga prokuroria për rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe kryeshefin e ndërmarrjes Ibër Lepenc, Faruk Mujka.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje se për çfarë veprash penale është intervistuar zyrtarja e lartë e VV-së.

“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim.” – është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Pas përfundimit të intervistimit ndërkaq, Mihali para gazetarëve kishte thënë:

“Për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e të vërtetës. Do pysni prokurorin. Gjithë të mirat, mirë u pafshim. Punë të mbarë”.