Elmedin Konakoviq

Ministri i Jashtëm i Bosnjës: Ka dy skenarë të mundshëm për Vuçiqin, asnjëri prej tyre nuk është i mirë për të

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH) Elmedin Konakoviq ka thënë sonte se ka dy skenarë të mundshëm për presidentin serb Aleksandar Vuçiq për shkak të ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, duke vlerësuar se asnjëri prej tyre nuk është i mirë për vetë Vuçiqin.

“Ka dy skenarë të mundshëm, asnjëri nuk është i mirë për Vuçiqin”, tha Konakoviq për Radiotelevizionin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (FTV), transmeton Ballkani.info.

Ai tha se para vrasjes së policit kosovar, Vuçiq kishte “ofensivë të rëndë diplomatike dhe për njëfarë nuance qëndronte më mirë në qarqet ndërkombëtare”, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti u kritikua se nuk dëshironte të formonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, prandaj ai u ekspozua presioneve serioze nga komuniteti ndërkombëtar.

Pas vrasjes së policit kosovar, tha ai, gjërat po shkojnë në dy drejtime.

“Njëra është se ka pasur njerëz të lidhur ngushtë me udhëheqjen ushtarake të Serbisë. Një tjetër anëtar i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i Vuçiqit (Milan Radoiçiq) ishte një nga organizatorët. Vuçiq nuk mund ta mohojë atë lloj afërsie me këta njerëz”, tha Konakoviq.

E dyta, vazhdoi ai, ishte se Rusia me këtë akt i tregoi se kontrollon një pjesë të strukturave brenda vetë Serbisë dhe atë në sektorin e sigurisë, përmes Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe disa të tjerë, rusët mund të bëjë lëvizje që Vuçiq “për një moment as nuk ishte gati dhe ndoshta as i priste”.

“Nuk kam asnjë provë për asnjë nga këto pretendime”, tha Konakoviq.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës tha më tej se sot Bosnja dhe Hercegovina ka disa miq të cilët do të ishin të gatshëm për çdo lloj ndërhyrje në rast të krizës së sigurisë.

“Kam marrë premtime se, nëse Rusia bllokon EUFOR-in në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, NATO do të jetë e pranishme në BiH, sepse ai aspekt i sigurisë është shumë i rëndësishëm”, tha Konakoviq. /Ballkani.info/