Albulena Haxhiu

Ministri i Danimarkës që nënshkroi marrëveshjen për burgjet dha dorëheqje, Haxhiu takon homologun e ri danez

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar sot homologun e saj danez, Mattias Tesfaye, gjatë vizitës zyrtare në këtë vend.

axhiu ka ritheksuar gatishmërinë që Kosova dhe Danimarka të kenë bashkëpunim të shtuar në të ardhmen.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, takova homologun tim danez, ministrin e Drejtësisë, Mattias Tesfaye, të cilin e urova për detyrën e re si dhe ritheksova gatishmërinë për bashkëpunim të shtuar si partnerë të rëndësishëm për interesat e të dy vendeve tona”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ky takim i dyshes vie një dit pas raportimit se në Danimarkë është duke u kritikuar marrëveshja e arritur në mes Kosovës dhe këtij shteti për 300 qelitë e burgut në Gjilan.

Marrëveshja është kritikuar nga disa organizata të fëmijëve në shtetin danez, që thuhet se ajo mund t’i shkelë të drejtat e njeriut.

Sipas raportimit të mediumit danez, Altinget, disa organizata theksuan se mundësia që fëmijët të arrijnë të vizitojnë prindërit e tyre të transferuar në burgjet e Kosovës mund të komplikohen aq shumë sa mund të shkojnë deri në shkelje të të drejtave të njeriut.

Marrëveshja politike për dhënien me qira të burgjeve në Kosovë rrezikon të dëmtojë fëmijët, siç vlerësohet në Danimarkë.

Tutje është theksuar se fëmijët kanë të drejtë t’i vizitojnë prindërit e tyre, por mund të jetë aq e shtrenjtë dhe e rëndë për t’u realizuar, sa arrijnë të rrezikojnë të humbasin edhe marrëdhëniet me prindërit e tyre.

Përpos kësaj së fundi është raportuar edhe për dorëheqjen e ish-ministrit të Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup, i cili edhe kishte nënshkruar këtë marrëveshje.