Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i ka thënë sot presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, se hetimi i sulmit të armatosur mbi Policinë e Kosovës në Banjskë është i një rëndësie vendimtare.

Në Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

“Është e rëndësishme dhe është e nevojshme për Serbinë që të vazhdojë të hetojë ngjarjet e 24 shtatorit, dhe kjo është e një rëndësie vendimtare”, tha Pistorius gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kosova po e akuzon Serbinë se qëndron prapa kësaj ngjarjeje, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Siç raporton REL, ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë tha po ashtu se është e rëndësishme që Serbia të reduktojë praninë ushtarake në kufi me Kosovën.

Po ashtu, ai bëri thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë, Pistorius tha se zbatimi i vendit “duhet të jetë i organizuar dhe nuk duhet që askush të lëndohet”, duke kërkuar një “periudhë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Nuk është në interesin e askujt që raportet të tensionohen edhe më tej”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Zyrtari i lartë gjerman sërish i bëri thirrje Serbisë që të miratojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

I pyetur për ndikimin rus, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ndikimi ekonomik i Rusisë në Serbi është pakrahasueshëm më i vogël sesa i Gjermanisë.

Ndërkaq, sa i përket ndikimit politik, Vuçiq tha se nuk mund të flasë për të gjithë aktorët, por theksoi se ndoshta Rusia mund të ketë ndikim te disa, e te disa të tjerë jo. Lideri serb tha se vetëm populli i Serbisë ka ndikim në kryeministren, presidentin, Parlamentin e shtetit.

“Askush nuk mund të më jap urdhra nga Uashingtoni apo nga Moska, nga Berlini, apo askund tjetër. Serbia i merr vetë vendimet pa ndikimin e askujt”, tha ai.