Finlandë

Ministri finlandez i Mbrojtjes mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka qëndruar të mërkurën në Finlandë, ku është pritur nga homologu i atjeshëm, Antti Häkkänen.

Siç ka bërë të ditur vetë ministri, Häkkänenin e ka njoftuar rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht rreth sigurisë në Kosovë dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet vendi.

“Gjithashtu e informova rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik”, ka njoftuar Maqedonci nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ai më tej ka thënë se ministri i finlandez i Mbrojtjes, ka njoftuar se ky vend do të vazhdojë ta mbështesë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO si dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit me Republikën e Kosovës.

“Gjatë takimit diskutuam edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes. Gjatë vizitës në Finlandë vizitova edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE për kërcënimet hibride (Hybrid CeO). Me drejtoreshën e kësaj qendre diskutuam mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride”, ka njoftuar më tej Maqedonci.