Ministri Çeku për ndalimin e kalimit të boksierëve kosovarë në Serbi: Kjo e ka tejkaluar sportin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka vlerësuar si të padrejtë dhe përtej sportit moslejimin e boksierëve kosovarë për të kaluar në Serbi, raporton IndeksOnline.

“Asnjë institucion shtetëror nuk ka të drejtë për të privuar sportistët. Kemi drejtuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit në Serbi për të tërhequr prapa thirrjen e tyre për të penguar hyrjen e sportistëve kosovarë në kufi”, ka thënë Çeku.

Ai gjithashtu ka shtuar se sportistët kosovarë nuk e kanë pranuar ftesën për pjesëmarrje nga shteti serb, por nga Federata Botërore e Boksit. Çeku ka thënë po ashtu se shqetësimin mbi këtë çeshtje, Ministria e ka dërguar edhe në BE.

“Ne kemi kërkuar reagim edhe nga BE, e cila në raste të tjera në të kaluarën është treguar shumë e kujdesshme për të reaguar, por për çudi ne skoma nuk e kemi asnjë reagim për këtë shkelje të pastër”, ka thënë ministri Çeku.

Sipas tij, nëse nuk merren masat e duhura, obligohen të ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Çeku ka deklaruar se kjo çeshtje e ka tejkaluar sportin dhe është shndërruar në në një cenim jo vetëm për sportistët kosovarë por për gjithë Kosovën.

Ndërkaq, sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, është shprehur se boksierët dhe e tërë Federata është jashtëzakonisht e zhgënjyer lidhur me trajtimin e boksierëve kosovarë nga ana e policisë kufitare si dhe autoriteteve serbe.

“Do kërkojmë kompensim për dy muaj përgaditje të boksiereve dhe të kompensohen të gjitha dëmet materiale që kemi shpenzuar për këtë kampionat”, ka thënë Demolli.

Ai gjithashtu ka shtuar se pas disa tentativash për të hyrë në territorin e Serbisë, AIBA ka kontaktuar ekipin kosovar dhe i ka thënë se shteti serb dakordohet që kosovarët të hyjnë vetëm nëse konkurrojnë me flamur të AIBA-s dhe jo me simbole kosovare.

Demolli deklaroi se ekspedita kosovare ka refuzuar t’a pranojë këtë gjë.

Ai është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e shtetit për të ndjekur këtë çeshtje, nëse nevojitet, edhe përmes instancave ligjore.