Ministri Bytyqi: Jemi zotuar për depolitizim të sistemit arsimor

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi duke arsyetuar punën e tij para deputetëve në seancën e jashtëzakonshme për arsim ka renditur sukseset, që sipas tij kanë ndodhur gjatë mandatit të tij.

Ministri veçmas theksoi se do të ndodh depolitizomi i sistemit arsimor duke iu dhënë rol vendimmarrës faktorit prindër dhe këshillit drejtues.

“Ne jemi zotuar për depolitizim të sistemit arsimor, sot udhëzimi administrativ i cili do të nënshkruhet pasnesër pikërisht do të ndikoj në depolitizimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Sepse akterve kryesor në vendimmarrje do të jetë faktori prindër dhe këshilli drejtues i shkollave që i përkasin”, tha ministri Bytyqi.

Gjatë kësaj seance, Bytyqi kërkoi që gjithë diskutimi mos të bëhet politik, duke thënë se kritikat e adresuara janë të pabaza.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ministri Bytyqi tha se dhe në arsimin e lartë kanë vendosur rregull për publikimet shkencore.

“Ne së pari nga zhurma e madhe dhe parregullsitë e mëdha që kishin të bënin me avancimet akademike, publikimet në revista të dyshimta që nuk kishin siguri në publikime shkencore vendosëm një rregull. E realizuam një udhëzim administrativ ku sado kudo vë korniza më të disiplinuara për publikime në këto platforma. Çka ndodhi, u bë një zhurmë e paparë, reagime të ashpra ishim të vetëdijshëm sepse po vendosim rregull. Por sot jam më se i lumtur, vetëm Universiteti i Prishtinës qojnë kërkesë tek ministria, a bën t’i forcojmë kriteret më të forta që i kemi në udhëzimin administrativ, kjo është suksesi, kjo është hapi i parë që është bërë, padyshim se ne do t’i aprovojmë çdo kërkesë që ka ngritje të universiteteve”, tha ai

Ministri mes tjerash tha se në proces janë dhe dhjetë çerdhe publike.