Ministri Bytyqi falenderon ShBA për mbështjetjen e vazhdueshme

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, respektivisht Richard Mei, zyrtar për Çështje Publike dhe zëvendësshef i Misionit, Scott R Righetti, Specialist i Shkëmbimit Akademik – Departamenti Amerikan i Shtetit, Brian Martalus, drejtor i Zyrës së Zhvillimit Ekonomik dhe Remzije Potoku, asistente e Çështjeve Kulturore dhe Arsimore.

Në këtë takim, i cili është zhvilluar pas vizitës zyrtare që ka pasur ministri Bytyqi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit, me theks të veçantë për bashkëpunimin rreth programit “Fulbright”, transmeton ballkani.info.

Ministri Bytyqi ka falënderuar ShBA-të dhe popullin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën, sidomos në fushën e arsimit, ku është dhënë një kontribut i jashtëzakonshëm në forma të ndryshme dhe në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministri ka theksuar se përvoja amerikane dhe gatishmëria për ta përkrahur Kosovën për reformat në arsim që ka marrë në të gjitha takimet, janë shumë të rëndësishme për MAShT.

Ndërsa, sa i përket programit “Fulbright”, ministri Bytyqi ka theksuar se ka dhënë idenë që të zgjerohet ky program dhe MAShT të dyfishojë fondin.

Ndërsa, Richard Mei, zyrtar për Çështje Publike dhe zëvendësshef i Misionit, ka thënë se janë të inkurajuar për rezultatet e takimeve që ka pasur ministri Bytyqi në ShBA dhe vullnetin për të bashkëpunuar në reformat e synuara në sistemin arsimor në Kosovë.

Kujtojmë se në rast të krijimit të komisionit “Fulbright”, Kosova do t’iu bashkangjitej 50 shteteve të tjera botërore ku ky komision funksionon.