Ministri Berisha tek varri i Presidentit Rugova: Ne vazhdojmë idealin tuaj

Ministri i Forcave Të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka bërë homazhe tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast ka vlerësuar lartë personalitetin e të ndjerit.

Ministri Berisha ka thënë se nderimi që po i bëhet Presidentit Rugova është nderim i punës dhe angazhimit të tij, në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, për vendosjen e themelit të shtetit të Kosovës.

“Ne vazhdojmë idealin tuaj, dhe sot kemi shtetin e pavarur të Kosovës, shtet sovran të lidhur ngushtë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, shkruan në komunikatën e FSK-së.

Gjithashtu, ministri Rrustem Berisha në shoqërim të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe familjarëve të dëshmorëve zhvilloi homazhe tek pllaka përkujtimore e Dëshmorëve të Kombit ku pushojnë Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi.

“Gjaku i dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës, është dëshmia më e mirë e përpjekjeve tona shekullore për Liri dhe Pavarësi. Dëshmorët Hyzri Talla, Ilir Durmishi dhe Afrim Maliqi, do të kujtohen gjithmonë si idealistë të lirisë, luftëtarë të zotët dhe trima”, ka shtuar ministri Berisha.