Ministri Aliu takon Kryetarin e rajonit të Puglias, flasin për hekurudhën Durrës -Prishtinë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu njofton për takimin e zhvilluar sot me kryetarin e Rajonit të Puglias Michele Emiliano, me të cilin kanë diskutuar për projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë.

Aliu thekson se në pjesën e diskutimit për hekurudhën Durrës – Prishtinë kanë folur për “, lidhjet e Portit të Durrësit me dy portet e zonës së Puglias, Brindisi dhe Bari, lehtësimin e transportit të mallrave, si dhe krijimin e lidhjeve më të sigurta e më të qëndrueshme të transportit”.

Po ashtu të dy kanë shkëmbyer përvoja e ide të ndryshme për funksionalizimin e porteve.

Postimi i plotë i Aliut:

Sot pata nderin dhe kënaqësinë, të takohem miqësisht me Kryetarin e Rajonit të Puglias, z. Michele Emiliano.

Me z. Emiliano, shkëmbyem përvoja e ide të ndryshme, ku fillimisht më njoftoi për historikun dhe funksionimin e porteve të zonës së Puglias, lehtësimin e transportit hekurudhor, si dhe për ndërlidhjen në mes të hekurudhës dhe portit detar, në funksion të distribuimit të mallrave.

Po ashtu, diskutuam për projektin konkret të hekurudhës Durrës – Prishtinë, lidhjet e Portit të Durrësit me dy portet e zonës së Puglias, Brindisi dhe Bari, lehtësimin e transportit të mallrave, si dhe krijimin e lidhjeve më të sigurta e më të qëndrueshme të transportit.

Në këtë takim theksova se Kosova do të ketë infrastrukturë moderne hekurudhore, njëkohësisht edhe një bashkëpunim të ndërsjellë me vendet e rajonit dhe më gjerë, si shprehje të vullnetit për të shënuar një etapë më intenzive të bashkëpunimit e cila bazohet në vlera të përbashkëta me synim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.