Ministri Aliu në përkrahje të Bahtirit: Sytë e zemrën i kemi drejt Mitrovicës

Në Mitrovicë ka shkuar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ai bashkë me kryetarin aktual dhe kandidatin edhe për mandatin e ardhshëm, Agim Bahtirin janë takuar me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kanë vizituar brigjet e lumit Iber, për të cilin Aliu tha se do të rregullohet i tëri.

“Nëse deri më tash Mitrovica e ka pasur shumë të vështirë për shkak të nivelit qendror, tash jemi në situatë krejt ndryshe, sepse sytë e zemrën i kemi drejt Mitrovicës. Projektet që lidhen me Mitrovicën, janë projekte që ndikojnë në gjithë Kosovën. Qeverisja qendrore është pranë Mitrovicës, mbase më shumë se pranë komunave tjera”, ka thënë ministri Liburn Aliu.

“Edhe projektin e lumit Ibër, edhe projektin e lumit Sitnica, që janë dy projekte të rëndësishme për Mitrovicën, por edhe për Kosovën. Pra rregullimi i shtratit të lumit Ibri është projekt i rëndësishëm për krejt vendin”, ka thënë Aliu.

Për më tepër, ai ka potencuar edhe fokusin e qeverisë drejt fshatrave të Shalës.

“Fshatrat e Shalës janë gjithmonë në pozitë të vështirë kanë qenë, por janë vende që e kanë mbajt edhe Mitrovicën, edhe Kosovën në momente të vështira. E ne nuk e kemi ndërmend me kthy as shikimit tjetër kah, por kena me majt gjithmonë edhe kah fshatrat e Shalës edhe kah projektet e Mitrovicës”, shtoi Aliu.