Suedia

Ministrat suedezë paralajmërojnë qytetarët: Përgatituni për luftë!

Të gjithë suedezët duhet të veprojnë tani për të rritur qëndrueshmërinë e vendit në rast lufte, ka thënë ministri i Mbrojtjes Civile, Carl-Oskar Bohlin.

Një gjë të tillë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Bohlin e ka thënë në konferencën vjetore “Folk och Försvar” mbi mbrojtjen, e mbajtur si zakonisht në vendpushimin e skive Sälen, deklaratë e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të qeverisë së këtij vendi.

Ai theksoi në fjalimin e tij se paqja nuk është një “konstante e palëvizshme”, madje as në Suedi.

“Shumë e kanë thënë para meje, por më lejoni ta bëj këtë në cilësinë zyrtare dhe me qartësi të madhe: Mund të ketë luftë në Suedi”, citohet të ketë thënë ai.

Ai nuk dukej se sugjeronte se një konflikt i armatosur ishte i afërt, por përkundrazi se mundësia teorike e luftës ekziston edhe në Suedi, pavarësisht se është një vend tradicionalisht paqësor.

Andaj, Bohlin u kërkoi të gjithëve të ndihmonin në ndërtimin e mbrojtjes totale të Suedisë.

Ai u kërkoi zyrtarëve të sigurojnë pika strehimi, një plan emergjence me ujë dhe furnizim me ushqime, dhe punonjësit të pyesin punëdhënësin e tyre se cili do të ishte roli i tyre në organizimin e luftës në vendin e punës dhe të shqyrtojnë se cilat gjëra thelbësore do t’u duheshin për të qenë në gjendje të vazhdojnë të punojnë në rrethana të vështira.

“A jeni një individ privat? Mirë, atëherë a keni marrë përgjegjësinë për gatishmërinë tuaj në shtëpi? A keni menduar nëse keni kohë për t’u bashkuar me një organizatë vullnetare të mbrojtjes? Nëse jo: lëvizni!”, ka thënë më tej Bohlin dhe këshilloi njerëzit që të pyesin të tjerët që kanë filluar tashmë të përgatiten, ose të marrin më shumë informacion nga Agjencia Suedeze e Kontigjencave Civile.

Dhe nuk është vetëm Bohlin ai që ka lëshuar një alarm të tillë.

Edhe ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson lëshoi të njëjtin paralajmërim gjatë fjalimit të tij të hënën në Sälen, fjalim që gjithashtu është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Suedisë.

Ai tha se luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme treguan se “bota është bërë më e rrezikshme se sa ishte vetëm një vit më parë”.

“Një sulm i armatosur kundër Suedisë nuk mund të përjashtohet”, tha Jonson. “Lufta mund të vijë edhe tek ne. Këto kohë serioze kërkojnë qartësi vizioni, aftësi për të vepruar dhe këmbëngulje – qartësi vizioni për të kuptuar se qëllimi i Rusisë mbetet çrrënjosja e Ukrainës së lirë dhe krijimi i një Evrope në të cilën ‘fuqia është e drejta’.

Ndryshe në maj të vitit 2022, Suedia dhe Finlanda, të njohura për neutralitetin e tyre, njoftuan se do t’i bashkoheshin NATO-s si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës në fillim të atij viti.

Ndërsa Finlanda iu bashkua zyrtarisht aleancës në prill 2023, aplikimi i Suedisë për t’u bashkuar me aleancën u përball me pengesa kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi mosveprimin e pretenduar të vendit kundër islamofobisë, duke e quajtur atë një “vijë të kuqe”.

Hungaria ka shprehur gjithashtu shqetësime për anëtarësimin suedez.

VIDEO BONUS: Interesim i madh për pasaporta pas liberalizimit – Për dy ditë aplikuan 7 400 qytetarë