Ministrat e Mbrojtjes Kosovë-Shqipëri nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për interesa të përbashkëta ushtarake

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj dhe homologu i tij nga Shqipëria Niko Peleshi sot kanë zhvilluar një takim të përbashkët me ç‘rast kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për interesat e përbashkëta të dy vendeve. 

Mehaj përmes një prononcimi për media tha se kanë biseduar për krijimin e bazës ligjore për aktivitete e tyre të përbashkëta ushtarake.

“Si dy vende vëllezër diskutuam për interesat e përbashkëta të dy vendeve. Roli i Ministrisë së Mbrojtjes është shumë i rëndësishëm. Sfidat në mjedisin tonë të sigurisë janë të ngjashme. Sot vlerësuam lart marrëdhëniet vëllazërore për t’i ngritur në një nivel më të lartë. …krijimin e bazës ligjore të aktiviteteve tona të larta ushtarake”, ka thënë Mehaj.

Ministri Mehaj gjithashtu theksoi se në marrëveshjen e nënshkruar është përfshirë po ashtu dhe integrimi i Kosovës në NATO dhe në rajon.

Ai po ashtu tha se qëllimi i kësaj ministrie është që të marrin pjesë edhe në operacione tjera jashtë vendit.

“U zotuam që pikat të realizohen me një plan zbatimi nga dy palët. Ne tash marrim pjesë dhe në operacione jashtë vendit, kemi pjesëtar në Kuvajt dhe qëllimi jonë është që të marrim pjesë në operacione jashtë vendit”, ka thënë ndër të tjera ministri Mehaj.