“Mini-Schengeni Ballkanik”, lëvizja e lirë, ndër konkluzat kyçe të takimit të sotëm Zaev-Rama-Vuçiq

Gjatë ditës së sotme, në Ohër është mbajtur takimi i dytë i ashtuquajtur Mini-Schengeni Ballkanik, i cili për nikoqir pati kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Në takim të pranishëm ishin edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në fund të këtij takimi, tre liderët e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë arritur në disa konkluza të cilat thonë se janë në të mirën e ekonomisë së rajonit në përgjithësi.

Ndër pikat kyçe, në dokumentin që e ka siguruar Koha.net, konsiderohet ajo e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në mbarë rajonin.

Po ashtu, pikë e rëndësishme e këtij takimi konsiderohet edhe njohja e diplomave nga të gjitha vendet e rajonit, rrjedhimisht vlefshmëria e tyre për treg të punës.

“Ne konfirmojmë që kontakti qytetar-qytetar është një hapësirë ku mund të kemi rezultate të shpejta dhe të shohim përfitime të dukshme për qytetarët tanë. Prandaj, ritheksojmë vullnetin tonë që të punojmë me prioritet në arritjen e Marrëveshjes për kalimin e kufijve në rajon me letërnjoftime, ashtu që kjo marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në verën 2020. Ne kërkojmë nga Maqedonia e Veriut të udhëheqë përpjekjen dhe ftojmë Këshillin për Bashkëpunim Rajonal të angazhohet në përputhje me kompetencat e saj”, thuhet në pikën 9 të konkluzave të dala nga ky takim, ku Kosova nuk u përfaqësua pasi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se refuzimi bazohet në disa pika.

“Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Më poshtë ju sjellim të plotë dokumentin me konkluzat e dala nga ky takim:

Ne, liderët nga Ballkani Perëndimor, u takuam sot në Ohër për të diskutuar avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duke eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, dhe për rrjedhojë deklarojmë si vijon:

Objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet qëllim i Ballkanit Perëndimor 6, dhe asnjë alternativë tjetër për këtë synim nuk është e zbatueshme për rajonin.
Përderisa të gjithë ndajmë vlerat evropiane, kemi punë për të bërë drejt sjelljes së standardeve evropiane në shoqëritë tona respektive. Si përfundim, ne përsërisim përkushtimin tonë që të implementojmë të gjitha reformat e domosdoshme dhe të arrijmë gradualisht të kemi përafrim të plotë me këto standarde.
Ne konfirmojmë që procesi i pranimit është mjeti më i mirë transformues në dispozicion për të siguruar prosperitet dhe progres në shoqëritë tona, por po ashtu sigurues i një konvergjence më strukturore dhe efektive mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, ne theksojmë se bashkëpunimi rajonal, përfshirë integrimin ekonomik është pjesë integruese e të gjitha përpjekjeve tona për të siguruar progres, prosperitet ekonomik e luftimin e sfidave aktuale; duke kujtuar edhe rëndësinë e shtimit dhe lehtësimit të kontakteve mes njerëzve.
Kemi konfirmuar se këto përpjekje shkojnë dorë për dorë me ambiciet tona për anëtarësim në BE.
Kemi mirëpritur arritjet e bëra në fushën ekonomike rajonale përmes Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe punën që po bëhet aty, por edhe në iniciativat e rëndësishme rajonale, përfshirë RCC-në dhe Ceftan.
Kemi theksuar dhe mirëpritur rolin e Procesit të Berlinit si katalizator i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.
Prandaj, jemi pajtuar të përshpejtojmë integrimin rajonal përmes masave tashmë të vendosura në mënyrë që të arrijmë rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët tanë sa më shpejtë që të jetë e mundshme. Për më tepër, jemi të vendosur të sigurojmë se këto masa po implementohen në mirëbesim nga të gjithë ne, brenda strukturave aktuale (për shembull, MAP REA, Cefta, RCC etj).
Ne konfirmojmë që kontakti qytetar-qytetar është një hapësirë ku mund të kemi rezultate të shpejta dhe të shohim beneficione të dukshme për qytetarët tanë. Prandaj, ritheksojmë vullnetin tonë që të punojmë me prioritet në arritjen e Marrëveshjes për kalimin e kufijve në rajon me letërnjoftime, ashtu që kjo marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në verën 2020. Ne kërkojmë nga Maqedonia e Veriut të udhëheqë përpjekjen dhe ftojmë Këshillin për Bashkëpunim Rajonal të angazhohet në përputhje me kompetencat e saj.
Angazhimi me Ballkanin Perëndimor. Kjo përpjekje konsiderohet gjerësisht qenësore në krijimin e mundësive të reja të zhvillimit dhe rritjes së kapaciteteve për gjenerimin e niveleve të larta të zhvillimit në rajon.

BE-ja ka qenë shtytësi kyç i transformimit të të tërë rajonit, së paku, që kur premtimi për zgjerim është paraqitur. Në pritje të anëtarësimit në BE, vetë rajoni kërkon një shtytje të dukshme të zhvillimit menjëherë. Prandaj, liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më të angazhuar në çlirimin e potencialit të zhvillimit që ende s’është eksploruar në Ballkan. Nevojitet një qasje më aktive dhe më kreative për qarkullim të mallrave dhe kapitalit, për lëvizjen e njerëzve dhe bashkëpunimin ndërkufitar, për integrimin e shërbimeve dhe fuqisë punëtore. Liderët e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë për të formuar të ardhmen e rajonit dhe të prezantojnë politika që kanë për qëllim të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të kapitalit material. Kjo është qenësore, jo vetëm në bërjen e rajonit më të integruar, por edhe në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm përgjatë Ballkanit Perëndimor si tërësi. Procesi i integrimit evropian shkon përmes procesit të bashkëpunimit rajonal.

Të gjithë gjashtë pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, boshllëqet strukturore mes BE-së dhe BP-së mbeten thelbësore. BPB-ja në çmimet e tregut në BE është më shumë se 100 herë më e madhe sesa ajo e Ballkanit Perëndimor Gjashtë, e cila në vitin 2018 në total ishte rreth 108 miliardë Euro, ndërsa shkalla mesatare e papunësisë në BE, për të njëjtin vit, është pothuajse tre herë më e ulët sesa ajo e Ballkanit Perëndimor Gjashtë. Kjo tregon se liderët e BP-së përballen me një nevojë urgjente për të luftuar këtë disbalanc strukturor, i cili shumë lehtë mund të kthehet në një pengesë për anëtarësim në BE në një periudhë afatgjate. Veç kësaj, çështjet e pazgjidhura brenda Ballkanit Perëndimor Gjashtë po e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe po e ulin cilësinë e jetës së qytetarëve.

Deri më tani, procesi i bashkëpunimit rajonal ka treguar përfitime konkrete për njerëzit e Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2010, ekonomive të Ballkanit Perëndimor i janë shtuar mbi 600,000 vende pune dhe më shumë se 500,000 punëtorë të edukuar mirë i janë shtuar tregut të punës. Kjo ka kontribuuar në performansë më të fuqishme eksportuese dhe konkurrencë më të madhe dhe prezencë në tregje m ë të mëdha ndërkombëtare. Procesi i bashkëpunimit rajonal siç parashihet me kornizën e Planit Shumë-Vjeçar për Zonë Ekonomike Rajonale do të forcojë edhe më shumë këto trende pozitive.

Liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë si duhet ndaj ambientit të ri politik dhe ekonomik në rajon. Shumica dërmuese e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë pozitivisht në ekonomitë e tyre. Liderët biznesorë shfaqin brenda për shkak të pengesave burokratike që pengojnë zgjerimin në tregjet rajonale. Nevojitet përkushtim më i fuqishëm politik për të krijuar kushtet e duhura për nivele më të larta dhe më të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik.

Lëvizja e plotë dhe e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe e fuqisë punëtore përgjatë tërë rajonit është mënyra më e mirë që një rajon i vogël të gjenerojë zhvillim në një ekonomi që ndryshon vazhdimisht dhe të globalizuar. Kjo përpjekje do të bashkonte rreth 20 milionë njerëz në një treg të vetëm dhe të unifikuar duke përmirësuar standardet e jetesës përgjatë rajonit, duke ofruar mundësi për qytetarët tanë dhe duke e përgatitur tërë rajonin për anëtarësim në BE për nesër. Ky projekt inspirohet nga modele tjera dhe të suksesshme të rajoneve të hapura siç është Beneluksi apo Rajoni Nordik. Synimi përfundimtar i kësaj përpjekjeje është kopjojmë disa prej praktikave më të mira që do t’i jepnin fund përfundimisht barrierave doganore në kufijtë tanë dhe të sigurojnë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Si hap i parë, ne përkushtohemi të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesave tjera për lëvizje të lirë brenda rajonit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se 2021.

Sipas Bankës Botërore, kamionët kalojnë mesatarisht 26 milionë orë në vit në pikëkalime kufitare brenda Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon se ka hapësirë për përmirësim të dukshëm ndaj qasjeve tona aktuale, që i bëjnë ekonomitë tona më të ngadalta dhe më të shtrenjta se që kërkohen për të konkurruar në ekonominë globale.

Njerëzit do të jenë në gjendje të udhëtojnë përgjatë rajonit me një letërnjoftim valid. Ata duhet të jenë në gjendje të punojnë kudo në rajon porsa të jenë kualifikuar në njërin vend. Diplomat duhen njohur përgjatë rajonit. Do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë kundër krimit të organizuar transnacional dhe zotohemi se do të ndihmojmë njëri-tjetrin në emergjenca siç janë fatkeqësitë natyrore.

Kjo është një iniciativë e guximshme dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur rezultate praktike dhe solidaritet në mënyrë që qytetarët tanë të përfitojnë.

Për këtë arsye, ne do të takohemi sërish në Ohër më 10 nëntor.

loading…