Mimoza Kusari Lila rizgjedhet kryetare e Alternativës

Mimoza Kusari Lila është rizgjedhur kryetare e “Alternativës” edhe për një mandat.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e partisë “Alternativa”, ku me anë të një njoftimi në Facebook njoftuan për rizgjedhjen e Kusari Lila edhe për një mandat në krye të Alternativës.

“Kryetarja Mimoza Kusari Lila, theksoi se bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje ka filluar që nga 2019 dhe po vazhdon me sukses në përmbushje të misionit dhe besimit të marrë nga votuesit në zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

Postimi i plotë:

Mimoza Kusari Lila, rizgjedhet kryetare e Alternativës

Është mbajtur sot Kuvendi i dytë zgjedhor qëndror i subjektit politik Alternativa.

Punimet e Kuvendit fillimisht janë hapur me fjalën hyrëse të nënkryetarit të Alternatives, z. Reshat Nurboja, kurse delegatëve nga Prishtina, Peja, Mitrovica, Prizreni, Vushtrria dhe Gjakova, ju adresua Kryetarja e deritashme, Mimoza Kusari Lila, e cila listoi të arriturat dhe sfidat e Alternativës në mes të dy Kuvendeve.

Ajo përmendi tri palë zgjedhje, ato qendrore me 2019 ku Alternativa bëri diferencën në mes të dy partive të para. Pastaj pjesëmarrjen në zgjedhjet qëndrore të 14 shkurtit të 2021 dhe ato lokale të vjeshtës 2021.

Kryetarja Mimoza Kusari Lila, theksoi se bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje ka filluar që nga 2019 dhe po vazhdon me sukses në përmbushje të misionit dhe besimit të marrë nga votuesit në zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021.

Pas zgjedhjes së kryesisë së punës së Kuvendit, janë miratuar edhe raporti i punës si dhe propozimet për plotësim ndryshimin e statutit të partisë të prezantuara nga Sekretari i Alternativës, Agon Dobruna.

Si kandidate për kryetare të Alternativës nga Kryesia e deritashme, është propozuar znj. Mimoza Kusari

Lila e cila ishte kandidatja e vetme për kryetare të subjektit. Znj. Kusari Lila me vota unanime u rizgjedh si kryetare Alternativës.

Në fjalën e saj pas rizgjedhjes, znj. Mimoza Kusari Lila, ka falenderuar delegatët për besimin e dhënë dhe njëherit ka veçuar rrugëtimin e Alternatives nga themelimi e deri me sot. “Alternativa si subjekt politik, është parti liberale e qendrës, e vetmja e këtij lloji në Republikën e Kosovës, e cila përpos vlerave liberale, promovon demokracinë, barazinë dhe të drejtat e secilit qytetar pa dallim etnie, feje, race, moshe, statusi social apo orientimi individual”. Ajo theksoi përkushtimin e Alternativës për zhvillimin e shtetit bazuar në politikat e mirëfillta mjedisore dhe në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Gjithashtu gjatë këtij Kuvendi me motivacionin; “Për kontributin e çmuar në luftë dhe në liri, për shembullin e njeriut model të qytetarisë dhe atdhetarit, bashkëpunëtorit dhe aktivistit” është nderuar me Mirënjohje Post Mortum, kryetari i ndjerë i degës së Alternativës në Gjakovë, Gurakuq Dobruna – Kuqi.

Kuvendi i Alternativës ka zgjedhur sot Këshillin e Përgjithshëm në përbërje 41 anëtarë, kurse Kryesia e partisë do të zgjedhet nga Këshilli i Përgjithshëm në ditët në vijim.