Milionat ruse ndikuan edhe në politikën e Kosovës?

Tashmë nuk është më sekret se Rusia ka kohë që po bën fushatë ndaj kombeve të vogla ballkanike, për t’i nxjerrë ato nga kursi perëndimor dhe eventualisht për të krijuar kushte që në pushtet të vinë forcat pro ruse, e diku tjetër të provokohen trazira që prodhojnë destabilizim.

Fushata e politikës së jashtme propaganduese ruse është koduar si “Doktrina Gerasimov”, sipas Valery Gerasimov, i cili ka qenë Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë ruse, që spikat praktikat e Rusisë në përpjekjet e saj për influencë globale duke marrë forma të ndryshme prej rekrutimit të liderëve dhe partive politike nacionaliste e fashiste, depërtimit digjital si mjet për përhapjen e diskursit publik për të mbjellë mosbesim ndaj Perëndimit, e deri te aspekti ekonomik, financimi direkt për parti e politikanë.

Rritja e aktivitetit të Rusisë në Ballkan është pjesë e kësaj doktrine, megjithëse përfshirja ruse nuk është aspak e re. Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, Rusia post-sovjetike i siguroi vetes një rol të vogël në Ballkan duke përdorur ndikimin e saj në Kombet e Bashkuara (OKB) për të dalë në mbrojtje të Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Megjithatë, fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 gjatë luftës së Kosovës dhe roli i kufizuar pasues i Rusisë në këtë mes, shfaqen dorën relativisht të dobët të saj – një perceptim ky që Kremlini është përpjekur ta ndryshojë dhe të akomodohet gjithnjë e më shumë në Ballkan, sidomos pas agresionit mbi Ukrainë, duke shpresuar të ngadalësojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike dhe të njollosë imazhin e demokracisë së stilit perëndimor në gadishullin ballkanik.

Duke parë se Rusia ishte fuqia e parë evropiane post-imperialiste që nuk e pa Bashkimin Evropian si një zbarkim të sigurt për veten e saj, sulmoi integrimin euroatlantik për t’ua mohuar edhe të tjerëve mundësinë e sovranitetit, prosperitetit dhe demokracisë.

Për profesorin universitar, Blerim Latifin, raporti i shërbimeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku zbulohet financimi prej 300 milionë dollarësh për partitë politike, zyrtarë dhe politikanë në vende të ndryshme të botës nuk paraqet risi.

“Raporti i Inteligjencës Amerikane vetëm sa na tregon dimensionin konkret të këtyre përpjekjeve të Rusisë e cila nën sundimin autoritarist të (Vladimir) Putinit, prej kohësh i ka vënë vetes si qëllim destabilizimin e demokracive evropiane, përfshirë këtu edhe demokracitë e brishta ballkanike”, tha Latifi për AlbanianPost.

Mirëpo, ajo që paraqet një rast të çuditshëm është që edhe pas shembjes së komunizmit, në rajon ekziston fryma pro trashëgimtarit të kësaj ideologjie, jo vetëm nga parti të cilësuara si komuniste por edhe nga ato demokratike.

Raporti i inteligjencës amerikane bënë të ditur se Partia Demokratike e Shqipërisë, si parti e ndryshimit dhe promovimit të vlerave liberal-demokratike, ishte financuar me gjysmë milioni euro nga kompani ruse në vitin 2017.

“Është vërtet dëshpëruese se si një parti e djathtë shqiptare, partia që udhëhoqi shembjen e komunizmit në Shqipëri, ka lejuar që të ekspozohet ndaj ndërhyrjeve ruse”, theksoi profesori i filozofisë.

Edhe për diplomatin që shërbeu si ambasador i Malit të Zi në Kosovë e Shqipëri, Ferhat Dinosha, një gjë e tillë është e papranueshme, pikërisht për faktin se PD-ja ka proklamuar vlerat pro perëndimore dhe ka ndihmuar në demokratizimin e Shqipërisë.

“Kjo do të kishte qenë tepër infantile dhe e pafalshme edhe sikur këtë ta kishte bërë ndonjë grup i nostalgjikëve komunistë në Shqipëri, e jo më partia e ndryshimit”, u shpreh Dinosha.

Por, aktorët politik në Kosovë deri tash nuk përmenden në ndonjë raport ku theksohet influenca ruse, megjithëse Latifi nuk e përjashton mundësinë që Rusia tashmë ka shtrirë influencën e saj edhe në Kosovë.

Madje, ai është i bindur se nuk është vetëm rrafshi politik i cili mund të jetë prekur nga influenca ruse, por edhe intensifikimi i veprimit të islamit politik në masat e gjëra ku përmes kësaj synohet largimi i Kosovës nga Perëndimi dhe nga projekti iluminist.

“Do të jete shumë e rëndësishme të kuptojmë përmasat e kësaj ndërhyrje edhe në Kosovë, t’i kuptojmë aktorët që, me vetëdije ose pa të, kanë vepruar në agjendat e luftës hibride ruse. Jam i bindur se në Kosovë infiltrimi rus nuk ka ndodhur vetëm në rrafshin politik, por edhe në atë të shoqërisë civile dhe të religjionit”, shpjegoi ai.

Nga ana tjetër, ambasadori rrezikun nuk e sheh nga partitë vendore, por nga Lista Serbe si dorë e zgjatur e Beogradit dhe rrjedhimisht, edhe e Rusisë.

Ai beson se arsyeja që Rusia nuk mund të shtrijë ndikimin e saj në partitë politike shqiptare në Kosovë qëndron në vullnetin për të bashkëpunuar me aleatët perëndimorë dhe “ky vullnet s’ka vend për askënd tjetër pos BE-së e SHBA-ve”.

“Sa i përket Kosovës, Rusia përmes partive te atyshme serbe, qe janë dorë e zgjatur e Beogradit, mund të tentojë të bëjë ‘lufte hibride’ në Kosovë. Por, së koti. Besoj se subjektet shqiptare do te vazhdojnë bashkëpunimin e mirë me faktorin perëndimor dhe bashkërenditjen e hapave të mëtejme, gjë qe s’do te lënë hapësirë për ‘luftë hibride’ të askujt”, potencoi ai.

Financim nga Rusia, sipas raportit amerikan kishte marrë edhe formacioni pro serb në Mal të Zi, ‘Fronti Demokratik’ (DF) i cili për çudi është rrugës për të formuar qeverinë e re malazeze.

Dinosha thekson se kështu ka qenë gjithmonë edhe përkundër faktit se Mali i Zi është anëtare e NATO-s dhe ka bërë hapa të rëndësishëm drejt BE-së.

Ai thotë se edhe pas krahut properëndimor të udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, ndikimi rus në Mal të Zi “nuk pushon së ekzistuari”.

“Në Mal të Zi edhe shembja e komunizmit është përcjellë me mitingje në të cilat është dëgjuar brohoritja “Hocemo Ruse (Duam Ruset)”. Pra , këtu ka qenë i gatshëm ‘tharmi’ i ndikimit rus”, vazhdoi ai, duke kujtuar se në partitë serbe në Mal të Zi, sidomos ato të DF-së, “nuk pushojnë së punuari për interesin serbo-rus, me ndihmën dhe nën mbikëqyrjen edhe të Kishës Serbe në Mal të Zi”.

Dinosha mendon se është pikërisht presioni nga partitë pro serbe, ajo që e rrëzoi edhe Kryeministrin e Qeverisë së pakicës në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

“Abazoviq nuk i bëri ballë presionit të një partie serbe të cilën e kishte futur në qeveri, mbase edhe presioneve të qendrave jashtë Malit të Zi, dhe, në vend se të merrej me agjendën evropiane, ky kaloi në qeveri të ashtuquajturën ‘kontratë themeltare’ ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe”.

Si përfundim Rusia vazhdon planet e saj për të minuar më tej mbështetjen politike dhe publike për Perëndimin dhe për t’i kthyer kombet ballkanike në mbështetës të saj.

Ajo tashmë ka pasur sukses në Serbi, ku më pak se gjysma e popullsisë mbështet anëtarësimin në BE.

Ka pasur sukses edhe në Bosnje atje ku Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, përkrahë haptas krijimin e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainë, duke u rreshtuar pas presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe gjithashtu, sipas raportit të intelegjencës amerikane fushata e tij në Bosnje u financua nga Rusia.

Pati sukses edhe në Mal të Zi ku formacioni pro serb ‘Fronti Demokratik’ i udhëhequr nga Andrija Mandiq nga çasti në çast pritet ta marrë drejtimin e Malit të Zi.