Miliarderi amerikan: Gabova, pandemia e paparashikueshme

Biznesmeni amerikan, Warren Buffett, ka pranuar se i ka nënvlerësuar në fillim efektet e pandemisë globale dhe ky gabim i ka kushtuar atij miliarda dollarë.

Miliarderi 89-vjeçar, i respektuar në fushën e bursave për shkak të parashikimeve të tij të sakta, njoftoi se ka shitur aksionet në të katra kompanitë kryesore ajrore amerikane, si United, American, Southwest dhe Delta Airlines.

Firma e tij nisi të investonte te kompanitë në vitin 2016.

“Bota ka ndryshuar për kompanitë ajrore, dhe është një nga bizneset që kanë për t’u goditur më fort. Me sa duket kam gabuar me këtë sektor. Nuk e di nëse tre apo katër vite nga sot, njerëzit do të fluturojnë sa vitin e kaluar. Dhe problemi është se edhe sikur biznesi të rikthehet në nivelin 70 apo 80 për qind, shumë avionë do mbeten pa u përdorur,” deklaroi të shtunën miliarderi Buffett.

Kriza e koronavirusit ka anuluar me qindra mijëra fluturime, mijëra avionë mbeten të parkuar ndërsa kërkesa për udhëtime me avionë ka rënë me gati 95 për qind nga muajt më parë.

Njeriu i katërt më i pasur në botë, sipas revistës Forbes, ka një pasuri prej 72 miliardë dollarë të cilën ka premtuar se do ta dhurojë në 99 për qind të saj.

Ndërsa situatën me bursat gjatë pandemisë Covid-19, ai e quan të paparashikueshme.

“Në tregje mund të ndodhë gjithçka. Për Amerikën mund të kemi besim por duhet pasur kujdes se ku i vëmë bastet. Të hënën e 11 tetorit 1987, tregjet ranë me 22 për qind brenda ditës, në 1914-ën u mbyllën për katër muaj, pas 11 shtatorit për katër ditë. Ne arritëm ta riaktivizojmë por të nesërmen askush nuk e di,” përfundoi Buffett.

Në botë, koronavirusi ka infektuar rreth 3,5 milionë persona dhe ka vrarë gati 250 mijë të tjerë, ndërsa shtohet përjavë me miliona vendet e punës që mbyllen si pasojë e masave globale të karantinës.