Milazim Krasniqi: Sveçla gënjeu publikisht, do ta padis

Profesori dhe publicisti, Milazim Krasniqi në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7 ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj u.d të Ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçlës, që sot tha se ka informacione që është Krasniqi ai që qëndron prapa organizimit të faljes së namazit në shesh, si shenjë proteste për mos hapjen e xhamive.

Krasniqi ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë  në atë se çka ka deklaruar Sveçla.

“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë, në një postim që bëra në Facebook thash që kjo është 100% gënjeshtër, me që është natë e madhe do të përmbahem, është e pakuptueshme qysh një zyrtar del e rrenë publikisht për diçka që në asnjë variant nuk e kam thënë. Unë kam bë një postim që është koha që të hapen xhamitë, por, në asnjë rast nuk kam thënë që duhet të bëhet falja në shesh, sado që njerëzit janë në lirinë e tyre. Nuk e kam firmos as peticionin me të cilin është kërku hapja e xhamive, duke ditë që ka lloj lloj mundësie që të keqpërdoret emri. Ishte një deklaratë skandaloze, atë nuk e njoh, njëherë në jetë kam qenë në debat”, ka deklaruar ai.

Profesori i UP’së thotë se do ta padis për shpifje ushtruesin e detyrës së Ministrit që vjen nga radhët e Vetëvendosjes.

“Është dezinformatë nuk ka asnjë deklaratë, asnjë veprim në mënyrë kategorike. Për të qenë të sigurtë në këtë që po them kam filluar kontaktet me avokatin dhe do të padis Xhelal Sveçlën për shpifje dhe do të shihemi në gjyq, kam vendosur që ta ndjek me rrugë ligjore këtë punë. Fjalët i merr era, harrohen, shihemi në gjyq, nëse ai masanej ka atëherë le ti sjell.

Ai ma ka dëmtu dinjitetin me shpifjen që ka ba.

Është shpifje ordinere, veç kontaktet i kam vendos besoj që nesër kryhen procedurat që duhet avokati të shkruaj tekstin, do ta ruaj kohën kur e kam mundësinë me lëviz”, ka thënë ai.

 “Si duket këta njerëz janë shumë nervoz ka pasu shumë ëndrra që janë rrëzu e që kanë ngel në gjysmë të rrugës me ide, e si pasoj e kësaj, ka qenë edhe periudha e pandemisë ua ka marrë krejt energjitë, s’kanë mundur me dëshmu kurgjo. Ajo çka ka ndodhë me vdekjen e të riut ka qenë e dhimbshme. Presioni me hapjen e xhamive, Bashkësia Islame është në pozitë të vështirë, krejt kjo ka prodhuar, hajt të gjejmë një fajtor”, shton ai.

Krasniqi ka deklaruar se beson që kjo ka ndodhur edhe pas kritikave që ka pasur ai ndaj Qeverisë Kurti për mënyrën e menaxhimit, sidomos pas shëndërrit të konvikteve në karantinë.

“Për shkakun e thjeshtë se idetë e mia funksionojnë në shoqëri, kur unë shkruaj njerëzve iu besojnë ideve të mia. Unë kam shkruar edhe se ka qenë gabim që konviktet të bëhen karantinë, jo vetëm vdekja, është përdhosë privatësia e studentëve, jam i bindur që nervoza e Xhelal Sveçlës është prej shkrimeve të mija, ka mendu qysh me ma ndal gojën, mua nuk më kanë frikësuar, pesë pare nuk i jap për këtë punë, jam i bindur që publiku e dinë që ajo se çka flas unë nuk është shpifje.

Ma së shumti ka të bëj me shkrimet e mia për konviktet … karantinën”, thotë ai, teksa ka komentuar shkurtimisht edhe situatën politike në vend.

“Unë mendoj që situata është e keqe po nuk është aq dramatike, mesazhi im është që të gjithë akterët t’i ulin gjakrat dhe të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Qeveritë vijnë e shkojnë ajo çka mbesin janë institucionet, një shoqëri që duhet ta ndërtojmë të gjithë bashkërisht”, tha Krasniqi.