Deputeti

Milaim Zeka lirohet nga paraburgimi, Apeli e lë në arrest shtëpiak

Gjykata e Apelit e ka lënë deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në arrest shtëpiak, duke e rrëzuar vendimin e javës së kaluar të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar avokati i deputetit Zeka, Gazmend Halilaj.

“Po, edhe pak pritet të lirohet nga qendra e paraburgimit dhe të mbajë arrest shtëpiak”, ka thënë Halilaj për Express.

Gjykata e Apelit, përmes një komunikate, gjithashtu konfirmoi vendimin për Milaim Zekën.

“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore dhe shkresave të lëndës, vlerësoi si të arsyeshme zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pasi që edhe me masën e arrestit shtëpiak do të arrihej qëllimi i njëjtë i sigurimit të prezencës së tij në procedurë”, thuhet në komunikatë.

“Kjo ngase masa e arrestit shtëpiak hyn në kategorinë e masave të rënda alternative, është masë izoluese më të cilën atij do t’i pamundësohej shmangia nga procedura penale-ikja, pengimi i rrjedhës së procedurës, ndikimi në të dëmtuarit- dëshmitarët, e gjithashtu do t’i pamundësohej edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale”, tha Gjykata e Apelit.

Vlen të ceket se deputeti Zeka ishte arrestuar ditë më parë, me arsyetimin e kërcënimit të prokurorit Afrim Shefkiu në Televizionin T7.

Pasi kishte bërë këto deklarata, pas Zekës, edhe deputeti Shkumbin Demaliaj ishte arrestuar, por Demaliaj vazhdon të jetë në paraburgim.