Milaim Zeka e formon zyrtarisht partinë në fund të muajit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, para disa ditëve ka deklaruar se është duke shqyrtuar mundësinë e formimit të një partie të re politike.

Këto deklarata, deputeti i ka dhënë në disa intervista ku ka qenë i ftuar, porse nuk ka ofruar detaje shtesë.

Në një prononcim për Ballkani.info, Zeka ka thënë se në fakt janë ndërmarrë hapa konkret në idenë e formimit të partisë politike dhe beson se deri në fund të këtij muaji do të bëhet shpallja e saj.

Tutje, ai ka treguar edhe nëse ndonjë deputet i Kuvendit të Kosovës do të jetë anëtar i kësaj partie.

“Deri në fund të këtij muaji, besoj se do të bëhet edhe shpallja publike. Sa i përket pyetjes nëse ndonjë deputet aktual i Kuvendit të Kosovës do të jetë pjesë e partisë, atë nuk mund ta konfirmoj dhe i takon vullnetit të lirë të çdo deputeti”, ka thënë Zeka.

Në fund, deputeti ka theksuar edhe njëherë se çdo person me të kaluar kriminale, ose që ka qenë i përfshirë në drogë, prostitucion e hajni, nuk do të ketë vend në partinë e tij. /Ballkani.info