Milaim Zeka: Do kërkojmë nga Evropa dhe SHBA të na udhëheqin për 50 vjet

Themeluesi i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së prezantimit të kësaj partie tha se ata do të bëjnë gjithçka të kundërtën që është bërë deri më sot, duke thënë se mes tjerash do të investojnë në çerdhe, shkolla e spitale dhe se pacientët e Kosovës nuk do të shkojnë më në Maqedoni, Serbi e as Turqi dhe se do të heqin tvsh-në në dogana që sipas tij e kanë rrjepur biznesin e Kosovës.

“Do të ndërtojmë një shtet ku asnjë inspektor i ATK-së nuk do të ketë të drejtë me bë inspektimin e asnjë kompanie private. Të vetmin kontakt do ta kenë personin financiar, kontabilistin e kompanisë. Kur ne bindemi që një kompanie do t’ua dërgojmë policinë financiare, atëherë ai pronar nuk do të merr gjoba por do të futet në burg”.

“Ne do ia nënshkruajmë bashkimit Evropian dhe SHBA-së që për 50 vjet të na udhëheqë policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Ne nuk mundemi t’i udhëheqim keto tre institucione dhe si shqiptar e kemi inatin dhe për inati e burgosim dhe e shajmë njeriun. Për këtë arsye ne i ftojmë mërgimtaret tanë që studiojnë jashte të vijnë dhe të kontribuojnë në Kosovë”.

“Ne nuk do të dërgojmë asnjë njeri në ambasadat tona jashtë shtetit që nuk ka lindur ose shkolluar në Evropë ose vendet atlantike, dhe po ashtu nuk do t’i dërgojmë në shërbime jashtë shtetit dajtë e tezet”.

“Një premtim po e jap, asnjëherë në jetën tuaj në qeverinë tonë nuk keni me pa kryeministër, zëvendëskryeministër e të tjerë duke hyrë në veturë të shtetit e duke shkuar në punë me veturë të shtetit. I vetmi njeri qe ka me ec me truprojë ka me qenë prokurori dhe gjykatësi.

“Sot prokurori dhe gjykatësi i ndershëm i Kosovës rruhet se cili politikan po e vret. Drejtësia kurrë nuk harron. Ne një nga një kemi me i arrestu hajnat e Kosovës dhe kemi me i sjelle para drejtësisë. Ne kurrë nuk do t’ju gënjejmë”, u shpreh Zeka, i cili në fund të fjalimit të tij u përlot teksa po e falënderonte bashkëshorten për mbështetje.